Prishtinë, 24 nëntor – Këngëtari i ri nga Kosova, i shoqëruar nga një violiniste vjeneze, në objektin e një kishe në Salzburg, do të shpërfaqë kulturën shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.
Këngë të vjetra të kombinuara me shpjegime për historikun e tyre, do të interpretohen në koncertin që do të mbahet të sot, të premten, në qytetin austriak. Koncerti është konceptuar asisoj që të japë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kulturës shqiptare, por me theks të veçantë tek arbëreshët e Italisë dhe arvanitasit në Greqi.
“Së pari, do të këndoj muzikë arbëreshe. Dhe emërtimin e koncertit e kam bërë në bazë të këngës 600 vjet të vjetër ‘O e bukura More’ që flet se si arbëreshët e Italisë u dyndën në Itali pas pushtimit otoman të tokave ku shqiptarët ishin shumicë. Siç ishte Morea apo Peleponezi i sotëm në Greqi”, ka shpjeguar Besart Zhuja, i cili është duke kryer studimet për të Drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Salzburgut, e që muzikën e ka pasion. Në interpretimet e tij, Zhuja do të shoqërohet nga violinistja Cecilie Kamelreiter. Bashkë me të do të interpretojë këngë që prej vitesh janë përcjellë nëpër breza.
“Do të luajmë këngë nga trevat e arbëreshëve e arvanitasve, por jo vetëm. Këngët gjithsesi do të përcillen me sqarime për publikun austriak”, ka thën[ Zhuja.
Një tjetër këngë arbëreshe që do të interpretohet para audiencës austriake është “O more, o Arbëri” përmes së cilës Zhuja thotë se do të shpjegojë sesi shqiptarët u larguan nga vendlindja dhe lanë pas vetes pronat e tyre.
Të tjera këngë, që janë pjesë e koncertit vijnë nga Shqipëria e Mesme dhe Shkodra.
“Dhe po ashtu në fund, por jo nga rëndësia, do të këndoj për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë dhe nënat e Gjakovës”, ka thënë ai (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).